Zyrtarisht Ministria e Brendshme ka nisur procedurat për të pajisur Policinë e Kosovës me helikopterë. Megjithëse nuk ka pranuar të japë detaje, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka thënë se tash për tash i gjithë plani ndodhet në fazën përgatitore dhe se po hulumtohet tregu dhe ofertuesit.
Dikur pjesë e Policisë së Kosovës, tash njohës i sektorit të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se blerja e helikopterëve ka qenë që moti e nevojshme, raporton televizioni i Prishtinës, KTV.
Përveç nevojës, Ibishi mendon se policia ka kuadër të mjaftueshëm për t’i përdorur helikopterët. Edhe pse hapësira ajrore ushtarake është në mandatin e KFOR-it, ai nuk e sheh si pengesë për të fluturuar mbi Kosovë.
Shuma e përfolur për të blerë helikopterë është thënë të jetë 20 milionë euro. Për t’u aprovuar kjo shumë, kërkesa duhet të arrijë në komisionet përkatëse parlamentare, e më pas hidhet në votim, ku deputetët mund të vendosin nëse duan apo jo ta aprovojnë atë.