Belgjika, Gjermania dhe Suedia janë ankuar në Komisionin Evropian për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit që përfitojnë nga regjimi i lirë i vizave.
Kjo gjë ka detyruar komisioneren Cecilia Malmstrom t’u kërkojë, përmes një letre, ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Bosnjes, Maqedonisë dhe Serbisë, informacione mbi masat e marra për parandalimin e këtij fenomeni.
Letra e komisioneres ndaj ministrave të Brendshëm në rajon shoqërohet dhe me të dhënat alarmante.
Suedia raporton se gjatë muajit gusht ka pasur shtim të azilkërkuesve me shtetësi shqiptare në nivelin 163%, krahasuar me një muaj më parë.
Në Gjermani është shënuar rritje me 50% në aplikimet e shqiptarëve gjatë muajit gusht, ndërsa në Belgjikë rezultojnë 36% kërkesa më shumë se gjatë së njëjtës periudhe të muajit të kaluar.
Në maj të këtij viti, Komisioni propozoi një klauzolë sigurie për vendet anëtare, që mundësonte pezullimin e përkohshëm të regjimit të lirë pa viza ndaj një vendi në rast abuzimi.