Dënime me marjen e pasaportës do të ketë vetëm për personat të cilët dëbohen nga shtetet e BE-së.
Një vit marrje të pasaportës ose refuzim i kërkesës për pranim të dokumentit të udhëtimit për ata persona, të cilët janë të kthyer apo dëbuar nga vendet e zonës Shengen për shkak të keqpërdorimit të liberalizimit të regjimit të vizave.
Ky ndryshim dhe plotësim në Ligjin për dokumentat e udhëtimit është një element nga spektri i masave, që po i ndërmerr Maqedonia në parandalimin dhe uljen e numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e Bashkimit Evropian.
“U dedikohet shtetasve të Republikës së Maqedonisë, të cilët keqpërdorin liberalizimin e vizave dhe të cilët bëjnë imigrim ilegal. Atyre personave u dedikohet amendamenti i Ligjit në fjalë,” thotë Xhelal Bajrami, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Shumica e deputetëve e gjejnë me vend propozimin për ndryshimin e Ligjit për dokumentat e udhëtimit e në veçanti masat e ndëshkimit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të pengohet keqpërdorimi i liberalizimit të regjimit të vizave. Ndërsa deputetët e opozitës kanë kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për dokumentet e udhëtimit.