Ekzekutivi i Cyrihut planifikon t`ia ndalojë paraqitjen në një aktivitet zgjedhor ministrit të jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu në Opfikon. Për ta bërë këtë ndalesë, autoritetet e Cyrihut kanë kërkuar edhe ndihmën e Këshillit Federal, shkruan srf.ch.
Cavusoglu në një tubim që mbahet më 12 mars në Opfikon do të propagandonte në favor të miratimit të kushtetutës së re të Turqisë, e cila parashikon ingerenca edhe më të mëdha për presidentin e vendit.
Autoritetet kanë shqetësime serioze për sigurinë dhe për këtë arsye e konsiderojnë si të papërgjegjshme mbajtjen e aktivitetit, ka thënë për agjencinë e lajmeve SDA një zëdhënës i Drejtorisë për Siguri të Cyrihut.
Nga ana tjetër, Departamenti i Jashtëm i Zvicrës ka deklaruar se është në kontakte të vazhdueshme me Policinë Federale dhe me autoritetet e Cyrihut lidhur me masat e sigurisë.