Në një peticion që i ka dorëzuar sot Qeverisë Federale, sindikata më e madhe e Zvicrës, Unia, ka kërkuar që kompanitë zvicerane të mos kenë të drejtë tu paguajnë të ardhurat punëtorëve të tyre me euro por vetëm me franga.
Këtë peticion e kanë nënshkruar 1800 punëtorë të industrisë së makinave, elektrike dhe asaj metalike.
Bashkëkryetari i Unia-s, Renzo Ambrosetti ka thënë për mediet zvicerane sot në Bernë se “parimi të cilin e mbështesim ne është: pagat zvicerane për punën e bërë në Zvicër”.
Sipas Ambrosettit, pagat e paguara me euro ashtu si dhe shkurtimet e pagave shkelin ligjin kundër diskriminimit.
Sindikata po ashtu ka kërkuar nga Banka Nacionale e Zvicrës që euro në të ardhmen të ketë vlerën e 1.40 frangave.
Nga ana tjetër, Qeveria Federale ka deklaruar se nuk do të ndalojë firmat që duan të paguajnë rrogat me euro në vend të frangut.