Ndërkohë që të thuash të gjithë nxënësit e një shkolle të mesme në Leipzig janë ngritur në këmbë për të shpëtuar djaloshin 18 vjeçar, Luanin, nga dëbimi në Kosovë, një politikan i ri i CDU-së ka zgjedhur një reagim të kundërt. I riu që është në krye të “Unionit të Nxënësve, Leipzig”, organizatë e afërt me CDU-në, ka dalë me një deklaratë kundër peticionit online të nënshkruar nga më shumë se 4000 veta, shkruajnë nga dje shumica e mediave gjermane.
Në këtë peticion kërkohet që të mos dëbohet Luani, i cili në një rast të tillë do të ndahej nga nëna e tij e sëmurë rëndë, e cila do të mbetet në Gjermani, transmeton albinfo.ch.
Peticionin e ka iniciuar shoku i shkollës i Luanit, Benjamini, të cilit pastaj i janë bashkuar shumë nxënës të tjerë dhe jo vetëm nxënës.
Ja se si shkruan kundërshtari i peticionit, nxënës 17 vjeçar i shkollës së njëjtë: “Këtu ka pasur një procedurë të rregullt juridike, në të cilën janë shikuar me kujdes bazat për një të drejtë qëndrimi në Gjermani. Por, rezultati i kësaj ishte hedhja poshtë e kërkesës”. Sipas tij, integrimi i suksesshëm dhe pasja e shokëve të shkollës nuk janë të mjaftueshme për t`i dhënë Luanit të drejtën e qëndrimit në Gjermani.