Kisha katolike ka mbajtur një meshë në përvjetorin e vdekjes së humanistes shqiptare Nënë Tereza.
Në këtë meshë ka marrë pjesë dhe delegati apostolik i Vatikanit në Kosovë, Imzot Juliusz Janosz, i cili në fjalimin e tij në gjuhën italiane ka bërë të ditur se fakti që një i deleguar i Vatikanit viziton Republikën e Kosovës, tregon qartë se ai e njeh këtë shtet dhe institucionet e saj.
Ai ka paralajmëruar edhe njëherë për njohjen e Kosovës nga Vatikani.
Imzot Dodë Gjergji dhe besimtarët në katedralen që mban emrin e të lumnuemes Nënë Tereza u lutën për shpirtin e saj dhe vlerësuan lart veprimtarinë prej humanisteje, e cila nuk pushoi asnjëherë së dhëni dashuri dhe kujdes ndaj skamnorëve dhe nevojtarëve.
Gonxhe Bojaxhiu në 1979 mori çmimin Nobel për Paqe, ndërkaq u nda nga jeta më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.