Mesfushori shqiptar i Cyrihut, Adrian Nikçi do të mbetet në FC Zürich. Spekulimeve se Nikçi do të lëvizë drejt Augsburgut të posa ngritur në bundesligën gjermane, u ka ardhur shpejt fundi.
Në ditën e fundit të afatit kalimtar mediet kanë shkruar se gjermanët kanë pyetur përgjegjësit e FC Zürichut nëse Nikçi është në dispozicion për transfer. Për një transfer eventual ishte i domosdoshëm nënshkrimi i tyre.
«Ne kemi nënshkruar sot në mëngjes» ka thënë për blick.ch Fredy Bickel, shef sportiv i FCZ.
Mirëpo ndërrimi megjithatë nuk do të bëhet. Dy klubet nuk mundën të merreshin vesh për shumën e transferit të lojtarit 21 vjeçar shqiptar.