Sudanezi, duke përdorur identitete të rreme, ka mashtruar shtetin gjerman për gati 22.000 euro. Ai është dënuar të hënën me kusht me burg prej një vit e nëntë muajsh. Bëhet fjalë për procesin e parë gjyqësor pas shpërthimit të skandaleve të shuma të mëdha që kanë dëmtuar Gjermaninë.
Përveç kësaj, ky azilkërkues 25-vjeçar nga Sudani duhet të ofrojë 200 orë pune sipas vendimti nga Gjykata e qarkut në Hanover, pasi zbuloi se ai përdorte shtatë identitete të rreme për të marrë asistencë sociale në komuna të ndryshme gjermane.
Ai arriti të marrë 21.700 euro thjesht duke u regjistruar me emra të ndryshëm. Në Gjykatë me anë të avokatit ai thotë se paratë i janë dashur për të ndihmuar prindërit e sëmurë në Sudan.
Dënimi prej më shumë se një vit normalisht do të ishte një arsye për dëbim nga Gjermania për të riun që ende nuk i është dhënë azili. Por, për shkak se ai vjen nga Darfuri, i cili është shkatërruar nga lufta, ndoshta dëbimi do të vonohet, edhe në qoftë se kërkesa e tij për azil refuzohet.
Ky është gjyqi i parë pas rreth 300 rasteve në vendin federal gjerman të Saksonisë së Ulët, ku azilkërkuesit, kryesisht sudanezë, kanë qenë të akuzuar për mashtrimin e shtetit, duke përdorur identitete të rreme, përcjell albnfo.ch.
Në fillim të shkurtit në Zyrën e Prokurorisë së Shtetit në Braunschweig ka nisur një hetim ndaj zyrtarëve për pranimin e refugjatëve në krahinën e Saksonisë së Poshtme (LAB), për shkak se ajo u përpoq për të mbuluar mbi 300 raste të mashtrimit nga aplikantët për azil në Gjermani.
Shumica e rasteve kanë të bëjnë me mashtrimin e refugjatëve nga Sudani që arritën në Gjermani me valë refugjatësh në verën e vitit 2015, tha kryetari i komitetit në qytetin e Braunschweig, Joern Memenga. Dëmi është vlerësuar në disa milionë euro. Sipas tij, ka pasur indikacione se refugjatët ishin regjistruar disa herë në vende të ndryshme për të përsëritur marrjen e ndihmës sociale. Shumica e tyre kanë aplikuar në dy ose me tre emra të ndryshëm, e ndonjëherë thjesht kanë lëshuar mjekrën, kanë vendosur syze dhe i kanë shkurtuar flokët.
Çdo person ka mashtruar autoritetet me një mesatare prej disa mijëra eurosh, e në një rast i njëjti person ka përdorur dymbëdhjetë identitete të ndryshme dhe ka fituar kështu 45.000 euro.
Braunschweig është një qytet me 250.000 banorë në shtetin federal të Saksonisë së Poshtme. Skandali u zbulua pasi nëpunësi i zyrës së pranimit dhe regjistrimit të refugjatëve (Lab) nga fillimi i vitit 2016 zbuloi më shumë se 300 raste, në të cilat aplikantët për azil, duke përdorur identitete të rreme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asistencë financiare.
Gjermanisë i kanë kushtuar refugjatët në vitin 2016 rreth 22 miliardë euro, tha javën e kaluar Ministria e Financave.