Duket si një garë mundjeje por në fakt është një polic që përpiqet ta “bëjë zap” një të ri të paidentifikuar. Ky i fundit reziston shumë ashpër dhe lufta “për jetë a vdekje” duket se nuk do të përfundonte sikur policit të mos i vinte ndihma ndërkohë. Ngjarja ka ndodhur në Spiez të Kantonit të Bernës dhe ajo është xhiruar nga një person që prezantohet si shok i të riut që po shtyhej me policin. Bazuar në emrin ,me të cilin prezantohet në fb, xhiruesi duket të jetë shqiptar, ai quhet Bez Thaqi. Nuk dihet nëse edhe personi i përfshirë në konflikt është shqiptar ose jo.
Shoku pastaj e ka emetuar videon e tij në facebook, ku ai sot ka qenë hit numër një në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Rreth 4000 herë ajo është shpërndarë deri në orët e pasdites dhe gjatë po kësaj kohe janë shkruar së paku 3500 komente rreth saj. Mendimet janë të ndara pothuajse përgjysmë: përderisa një numër komentuesish flasin për “dhunë policore” ndaj të riut, të tjerët e komentojnë atë si veprim të duhur të policit. Miku i “viktimës”, ai që e ka plasuar videon dëgjohet gjatë xhirimit duke i bërtitur policit se shoku i tij nuk ka bërë asgjë të dënueshme dhe se po keqtrajtohet kot, përcjell albinfo.ch. Por në polici thonë ndryshe. Atje pohojnë se nga xhepi i riut ka rënë një thikë dhe kjo ka qenë arsyeja për ndërhyrjen këmbëngulëse të policit.