Sot, fatmirësisht, brezi i ri i baballarëve i ka thyer këto paragjykime teksa shihet si përkujdesës i barabartë ndaj fëmijëve, duke shtyrë karrocat apo duke ushqyer dhe luajtur me të vegjlit. Fotot e mëposhtme janë shkrepur në rrugët e Tiranës gjatë dy muajve të fundit dhe tregojnë ngrohtësinë e dashurisë atërore, që të jep shpresë se familja shqiptare po shkon ngadalë drejt vlerave perëndimore.
Një studim i vitit 2016 nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD tregoi se burrat dhe gratë shqiptare e kanë ende të vështirë të gjejnë balancën e artë të ndarjes së punëve në familje. Sipas studimit gratë shpenzonin mesatarisht 4.66 orë për punë shtëpie ndërsa burrat më pak se gjysma e kohës së grave, pra 2.07 orë. Studiuesit vërejtën se kjo vjen për shkak se familjet në Shqipëri kanë ende nota patriarkale.











