Fshati zviceran, Les Diablerets, ka futur monedhën e vet me qëllim për të rritur ekonominë lokale dhe për të financuar një teleferik , i cili sipas banorëve është vendimtar për zhvillimin e zonës.
Në qarkullim janë 50 mijë monedha të lëshuara në fshat dhe në vendpushimin e skive “Les Diablerets” , dhe në secilin është gdhendur një imazh nga kabina ekzistuese e teleferikut, transmeton albinfo.ch.
Monedha quhet “Isenau”, sipas zonës mbi fshatin në të cilin mund të arrihet vetëm me teleferik.
Kjo është një iniciativë e Fondacionit për mbrojtjen e interesave të Isenau, e cila shpreson të rrisë 250.000 franga për të ndihmuar në ndërtimin e teleferikut.
Paratë do të jenë në qarkullim deri në fund të prillit dhe janë të vlefshme vetëm në dyqane lokale dhe restorante.