Kombëtarja e Shqipërisë në futsall (futboll në salla) ka impresionuar edhe në ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian, shkruan albinfo.ch.
Pas triumfit të merituar ndaj Bullgarisë me rezultat 7:1, vend në të cilin organizohet kjo fazë eliminatore, skuadra kuqezi e trajnerit Erind Suli impresionoi ndaj një rivali edhe më të fortë si Anglia.
Shqipëria e futsallit mundi Anglinë 5:1, një rezultat i thellë që nuk pritej përballë formacionit ishullor, por që e konfirmon kalimin në raundin tjetër. Në një grup me katër skuadra për kuqezinjtë kjo është fitorja e dytë dhe sfida e fundit do të jetë ndaj skuadrës më të dobët Maltës.
Karaj, Selmanaj, kapiteni Halimi dhe dy herë Brahimi, ishin autorët e golave kundër Anglisë. Faza tjetër e futbollit të sallave për Evropianin, do të luhet në prill.