Rreshjet e borës dhe aksidentet ua bëjnë jetën e vështirë shoferëve mes Lozanës dhe Gjenevës. Pjesa në mes të Aubonne dhe Rolle është mbyllur përkohësisht.
Era e fortë ka hedhur shtresat e borës nëpër rrugë, gjë që ka shkaktuar akull. “Meteonews” u ka bërë thirrje për kujdes automobilistëve, sidomos të rrethinës së Vaud-it në Morges dhe Nyon. Përkundër kësaj, kaosi ende vazhdon mes autostradës A1 Lozanë-Gjenevë.
Rruga mes Aubonne dhe Rolle, në drejtim të qytetit të Gjenevës, është mbyllur përkohësisht. Një aksident ka penguar pastrimin e rrugëve nga bora. Papritmas, bora është akumuluar në rrugë, duke bllokuar automjetet, duke krijuar skena të pazakonta.
“Ka shumë aksidente”, theksoi Pascal Granado, duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara për policinë e kantonit të Vaud-it. Por, tani për tani, ka vetëm dëme, nuk ka të lënduar”.
Disa fotografi nga rrugët e Gjenevës i sjell një lexues i albinfo.ch, Bekim Grejkovci.


