Xherdan Shaqiri nuk po kalon momentet më të mira në karrierë. Në katër ndeshjet e fundit, tri herë ka qenë në bankën rezervë. E përditshmja zvicerane ‘Blick’, është e shqetësuar për formën e tij dhe pyet çfarë po ndodh, përcjell albinfo.ch.
Seria e zezë filloi më 14 dhjetor, ku Stoke luajti pa gola ndaj Southampton, derisa Shaqiri e nisi nga banka rezervë. Ai ishte shumë i inatosur për këtë dhe kështu shprehet edhe gazetari lokal, Pete Smith. Kjo vetëm sa e përkeqësoi situatën.
Që nga atëherë, ai tri herë ka qenë në bankën rezervë dhe vetëm një herë luajti në katër sfidat e fundit. Përballja ndaj Watfordit ku ai nuk u aktivizua tregoi për krizën që po përjeton futbollisti shqiptar. A e ka edukuar mirë trajneri Mark Hughes? Ose ai dëshiron ta shesë?
Shaqiri kishte shkëlqyer në pjesën e parë të edicionit, derisa trajneri e ndryshoi edhe sistemin e lojës për të.
Gazetari i cili e përcjell Stoken në çdo ndeshje ka thënë se tani Stoke luan 3-4-2-1 ose 3-4-1-2, pa krahë dhe ka shumë futbollistë për një ose dy vende.
Ai ka shtuar se nuk parashikon që skuadra angleze do ta shesë yllin e Përfaqësueses së Zvicrës.