“Le Shop” që është supermarketi online i kolosit zviceran të shitjes me pakicë, “Migros”, gjatë vitit 2016 ka shitur në masë rekorde, shkruan srf.ch. Duke realizuar qarkullimin prej 182.1 milionë franga, “Le Shop” e ka tejkaluar për 3.5 për qind shitjen që e ka realizuar në vitin 2015.
Siç bën të ditur vet supermarketi i përmendur, kjo rritje është mundësuar edhe falë dizajnit të ri dhe orareve të reja për dërgimin e mallrave të porositura, përcjell albinfo.ch. Por, “Le Shop” ka përfituar edhe nga trendi në rritje i blerjeve online. Kjo për faktin se ka gjithnjë më shumë blerës që e njohin teknologjinë e blerjes në këtë mënyrë dhe kjo po e bën gjithnjë më të preferuar blerjen online.
Sipas parashikimeve që bën Dominique Locher, shef i “Le Shop”-it, në vitin 2020 blerësit online madje do ta përbëjnë shumicën e blerësve në përgjithësi.