Diaspora ka nevojë për mësues të përkushtuar, të trajnuar dhe që janë të gatshëm ta avancojnë mësimin e gjuhës shqipe në nivel sa më të lartë, pasi që një pjesë e mërgimtarëve po tretet duke harruar gjuhën shqipe, është thënë në seminarin e shtatë mbarëkombëtar me mësuesit e shkollës shqipe në diasporë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka theksuar se diaspora përfshin një të katërtën e qytetarëve të vendit tonë dhe një pjesë të madhe e përbëjnë fëmijët dhe të rinjtë e moshës së detyrueshme për arsim.
Buja ka përkujtuar se që nga viti 2004 MASHT-i është duke mbështetur diasporën me mësim plotësues në gjuhën amtare. Sipas tij mësimi plotësues duhet të institucionalizohet
Ndërkaq, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se mërgata vazhdon të dëshmojë gatishmërinë për ruajtjen e së drejtës themelore njerëzore që është ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar.
Ky seminar sipas pjesëmarrësve mbështet punën e mësuesit që drejtpërsëdrejti shërben në ruajtjen e identitetit kombëtar të fëmijëve shqiptarë në diasporë.