Të dy policët italianë, Christian Movio dhe Luca Scata, gjatë natës së sotme kanë qëlluar në Milanos të dyshuarin për atentatin e të hënës në Berlin, Anis Amri, i cili la të vdekur 9 persona dhe mbi 50 të lënduar. I gjithë populli italian u gëzohet heronjve të vet.
Gjatë natës së mbrëmshme të dy policët italianë, Christian Movio (36) dhe Luca Scata (29), kishin dalë në terren duke bërë kontroll rutinor në rrugët e Milanos. Pranë Piazza Maggio, në Sesto San Giovanni, shohin duke ecur një person.
Në momentin kur e ndalojnë dhe ia kërkojnë dokumentet, ai nxjerr pistoletën dhe e qëllon policin Movio në shpatull. Bashkëpolici i Movios, Scata, i kundërpërgjigjet me shpejtësi dhe e qëllon me armë personin e panjohur, duke e lënë të vdekur. Më pas merret vesh se personi i vdekur ishte atentatori i Berlinit, Anis Amri, shkruan “blick.ch”.
Për këtë veprim policët italianë janë konsideruar si heronj të ditës: Në Facebook dhe Twitter Movio dhe Scata kanë marrë urime të shumta. Një nga miqtë e policit Scata i shkruan në Facebook: “Jam krenar që kam një shok si ti”, apo mesazhe të tjera si: “Luca, ju keni bërë diçka madhështore, por më e rëndësishme është se ju jeni shëndosh”, përgëzojnë ata, përcjell “albinfo.ch”.
Ministri i brendshëm italian ka vlerësuar lartë të dy policët: “Italia duhet të jetë krenare për ju. E përsëris: Duhet të jetë krenare”, ka thënë ai gjatë ditës së sotme.
Polici i plagosur Christian Movio sot në mëngjes është operuar në sup. Sipas informacioneve të fundit, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.