Udhëheqësja e ekipit negociator të Prishtinës në dialogun me Beogradin, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri ka shfaqur dilemën nëse do të pranojë të ulet në një tavolinë në Bruksel me Borisllav Stefanoviqin.
Ajo i ka thënë “Kohës Ditore” se Stefanoviqit i është dëmtuar rëndë kredibiliteti.
“Sa i takon ndërhyrjes që është bërë nga ana e Serbisë, ne mendojmë se ka qenë një veprim destruktiv dhe, për fat të keq, në kuadër të kësaj politike destruktive, Stefanoviq ishte pjesë e kësaj veprimtarie të dhunshme, që për mendimin tim ka dëmtuar shumë kredibilitetin e tij si palë në bisedime”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.
“Ne në qeveri kemi marrë qëndrim që hyrja e zyrtarëve të lartë të qeverisë së Serbisë, përfshirë këtu edhe vetë Stefanoviq në Kosovë, do ta trajtojmë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj Qeveria do ta marrë qëndrimin përfundimtar nëse do ta pranojë Stefanoviqin tutje ta ketë homolog ose jo në dialogun që zhvillohet në Bruksel.