Policia serbe ka bërë të ditur se ka ndalur përpjekjen për të trafikuar rreth 39.4 kg lënde narkotike në pikë-kalimin kufitar të Horgosit. Administrata doganore tha se lënda narkotike, që trafikantët u përpoqën ta kalonin përmes kufirit me Hungarinë, ishte me shumë gjasa e llojit heroinë, shkruan albinfo.ch.
Sasia e drogës është gjetur në një automjet tip “Nissan” me targa shqiptare, ndërsa me të udhëtonin tre shtetas shqiptarë me gjasë pjesëtarë të së njëjtës familje.
Shtetasit e arrestuar janë S.C., B.C. dhe I.C., të cilët janë dërguar në paraburgim për 48 orët e ardhshme, në pritje të ngritjes së akuzës penale të prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike.
Sasia e drogës është gjetur e fshehur poshtë ulëseve të shoferit dhe të pasagjerit.
Sipas një deklarate, një total prej 47 pakosh me përmbajtje lënde narkotike ende të paidentifikuar, por të dyshuar si heroinë, u gjetën në makinë.