Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kanë fituar sërish medalje në garat ndërkombëtare. Kësaj radhe garueset nga Peja i sollën medaljen e bronztë skuadrës së Galatasarayt në Golden League, shkruan albinfo.ch.
Duhet theksuar se kjo është hera e katërt që Majlinda dhe Nora e përfaqësojnë Galatasarayn, i cili me to një herë është shpallur kampion Evropë, duke e fituar këtë kompeticion, i njëjtë si Liga e Kampionëve në futboll.
Skuadra turke është ndeshur me kampionin francez, Champigny, duke pësuar me rezultat 3:2. Në repesazh, Galatasaray u vu përballë skuadrës ruse, Dinamo Alania duke fituar me rezultat 4:1, dhe u kualifikua për vendin e tretë. Në takimin për vendin e tretë, Galatasaray u takua me skuadrën zvicerane, Cortaillod, duke fituar 3:2.
Një sukses i veçantë dhe shumë i rëndësishëm ishte se Majlinda u shpall garuesja më e mirë e këtij turneu. “Një foto me shumë xhudiste nga skuadra të ndryshme. Shumë kampione. Një ditë shumë e mirë e xhudos. Në fund, Majlinda është zgjedhur më e mira e këtij turneu”, ka shkruar përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka në “Facebook”.