Edhe përkundër temperaturave të ulëta dhe obligimeve të festave të Krishtlindjes, adhuruesit e muzikës po dëgjonin me kënaqësi pjesët nga repertori i pianistit strugan. Ato nuk ishin melodi që mund të dëgjoheshin kudo, ishin pjesë të rikomponuara të maestros, në jazz dhe ethno jazz, duke mos munguar as partitura të Bethoven-it dhe këngëve të krishtlindjeve.
Faton Pollozhani u paraqit para publikut gjerman me një repertor të pasur të muzikës shqiptare të rikomponuar me një ngjyrë të re tingujsh dhe me një mjeshtri improvizuese të Ethno Jazz-it, tregon për albinfo.ch drejtuesi i galerisë “Mytoro” në Hamburg. piktori i njohur Mentor Ejupi – Toro.
Muzika e vjetër shqiptare po merr një formë bashkëkohore, ky transformim i melosit tonë në Ethno Jazz ishte fillimi i punës së re të struganit i cili pas studimeve në Tiranë, Shkup dhe Stamboll i vjen publikut muzikëdashës gjerman me një perlë të re të melosit nga thesari i kulturës muzikore shqiptare sidomos muzikës nga jugu i trevave tona.
Fatoni nga Struga, që në fakt është profesor muzike ne Hamburg dhe pedagog i muzikës i akredituar nga ministria e arsimit gjerman (ligjërues edhe në Universitetin e Tetovës, Shkupit dhe në shkollat e Strugës) nuk ndalet vetëm në solo recitalet e tij, ai është pjesë edhe i disa orkestrave dhe një bendi Jazz në Hamburg.
Galeria Mytoro e kishte dhe do ketë nderin në të ardhmen të prezantojë punën e mrekullueshme të pianistit strugan në rolin e partnerit ekskluziv.