Rebelët libianë që po luftojnë kundër trupave të Gadafit, këtë po e bëjnë edhe me municion zviceran.
Siç ka zbuluar emisioni “Rundschau” i televizionit zviceran sf1, prodhues i këtij municioni është kompania shtetërore zvicerane për prodhimin e pajisjeve ushtarake “Ruag Ammotec”. Ndërsa eksportimin e municionit në Libi e ka bërë firma FGS Frex AG.
Sipas dokumentacionit të gjetur në arkat e municionit, patronat fillimisht janë eksportuar në mënyrë zyrtare nga Zvicra në Katar, prej nga, pastaj, kanë gjetur rrugën për në Libi.
Eksportimi i materialit luftarak në Katar qe miratuar në vitin 2009 nga Seco (Sekretariati për Ekonomi). Mirëpo Katari qe zotuar që të mos e shpërndajë tutje materialin e blerë luftarak.