Policia, ka marrë një informacion lidhur me prezencën e një mjeti shpërthyes të vendosur në një qese plastike afër rrethojave të ndërtesës së EULEX-it në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar zonën e rrezikut dhe parandaluar ndonjë shpërthim eventual, ka bërë të ditur policia.
Në të njëjtën kohë, në vendngjarje është ftuar edhe njësia e specializuar për largimin e mjeteve shpërthyese të cilët menjëherë kanë filluar kontrollimin në vendin e ngjarjes për të gjetur dhe konstatuar se për çfarë mjeti eksploziv bëhet fjalë.
Kontrolli i detajuar i vendngjarjes ka rezultuar me gjetjen e mjetit shpërthyes, granatë dore, e cila në mënyrë të kontrolluar është tërhequr nga vendi i ngjarjes.
Për shkaqe sigurie përgjatë periudhës së kontrollimit të vendngjarjes dhe kërkimit për mjetin shpërthyes policia ka bllokuar segmentin e rrugicës ku është gjetur mjeti shpërthyes për ta liruar më pas atë për qarkullim normal.