Në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2017, Përfaqësuesja e Zvicrës, e ka mundur atë të Kosovës, në ndeshjen e zhvilluar në Minsk të Bjellorusisë, shkruan albinfo.ch.
Zvicra shënoi fitore të thellë me rezultat 36:21.
Vashat zvicerane ishin më të mira në pjesën e parë, duke e përfunduar në të mirë të tyre me rezultat 16:10, ndërsa e rritën epërsinë në pjesën e dytë, duke e mbyllur krejt lojën me 15 gola përpara.
Tek Kosova, më të dalluarat ishin Albulena Kelmendi me 7 gola, Aida Stagova me 4 dhe Burneta Rama e Fitore Aliu me nga 3.
Kurse, tek zviceranet shkëlqyen: Sibylle Scherer me 8 gola, si dhe Zerin Oezcelik e Pascale Wyder me nga 5.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e dytë nesër me Turqinë, duke filluar nga ora 13:00, kurse në duelin e fundit të këtij grupi do të luajë me Bjellorusinë të dielën, duke filluar nga ora 14:00.