Një shqiptar 25 vjeçar nga Winterthuri i Zvicrës ka paguar shtrenjtë fyerjen që i ka bërë dy policëve. Gjykata e Lartë e Cyrihut i ka shqiptuar një dënim me heqje lirie dhjetë muaj dhe gjobë prej 5400 frangash të riut i cili në fjalosje e sipër i kishte pështyrë policët zviceranë.
Në janar të vitit 2009 dy policë kishin trokitur në derë të banesës ku ai kishte shkuar mysafir, për t`i thënë që ta hiqte veturën nga rruga, sepse ishte parkuar gabimisht. Pasia ai ua kthen me sharje e kërcënime dhe situata acarohet, kosovari i pështyn policët, të cilët provojnë ta bllokojnë me “pfefferspray”. Të njëjtën “armë” ua drejton edhe ai policëve, për çka përfundon në burg.
Meqë i riu kosovar kishte edhe një llogari të mëparshme, të hapur me ligjin, gjykata e qarkut në WInterthur, në tetor të vitit të kaluar ia kishte shqiptuar atij një dënim për dhunë dhe kërcënim të ushtruar ndaj policëve me 6 muaj heqje lirie. Gjykata në fjalë me këtë rast i kishte aktivizuar edhe dënimin e mëparshëm me kusht prej 10 muajsh burg.
Pas ankesës së bërë, Gjykata e lartë e Cyrihut të premten ia ka shndërruar gjashtë muajt e burgut në gjobë. Kështu, 25 vjeçari duhet të paguajë 180 njësi nga 30 franga, që i bie gjithsej 5400 franga. Mirëpo, masën ndëshkuese prej dhjetë muajsh me burg që ai e kishte nga dënimi i mëparshëm me kusht, duhet ta mbajë në sistemin e burgut gjysmë të mbyllur (nata kalohet në burg ndërsa dita në aktivitetet normale).