Për shkak të mungesës së unitetit ndërmjet subjekteve politike, si dhe logjikës së bajraktarizmit të liderëve politikë, populli shqiptar edhe pse nga aspekti demografik është i përafërt me popullin serb e grek, po mbetet i defaktorizuari. Kështu të paktën vlerësojnë njohës të rrethanave politike, të cilët shprehin shqetësimin e tyre për gjendjen e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.
Sipas tyre, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të jenë më aktive për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve, citon gazeta “Zëri”.
Politologu, Belul Beqaj, ka thënë se gjendja e shqiptarëve aktualisht është e paartikuluar qartë sa i përket mundësisë së faktorizimit të tyre në Ballkan. Sipas tij, shansin që e patëm me shpërbërjen e sistemit socialist dhe rënies së Murit të Berlinit shqiptarët nuk janë duke e shfrytëzuar në përputhje me kontekstin e favorshëm të rrethanave.