Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: Praktikat më të mira”, në Vilnius të Lituanisë, pati një varg takimesh me zyrtarë të lartë institucionesh dhe udhëheqës shtetesh.
Presidentja Jahjaga pati një takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, zonjën Ketrin Eshton, me të cilën diskutoi për një varg çështjesh me rëndësi, bën të ditur Zyra e Komunikimit e Presidencës.
Sipas njoftimit, presidentja ka takuar edhe kryetaren e Kuvendit të Letonisë, Salvita Aboltina.
Në një bisedë të gjatë dhe miqësore, presidentja Jahjaga dhe kryetarja Aboltina diskutuan për bashkëpunimin në mes të dyja vendeve dhe për intensifikimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, presidentja Jahjaga, në margjinat e konferencës, u takua me presidentin e Mongolisë, Elbegdorj Tsakhia, me të cilin diskutoi për një varg temash me interes.