Zyrtarët e insitucioneve qeverisëse, kanë theksuar se Kosova i merr me seriozitet të gjitha raportet e organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe rekomandimet që adresojnë ato.
Këto ditë janë publikuar disa raporte që japin vlerësime negative për zhvillimet në Kosovë.
Në raportin e tij “Freedem House” ka theksuar se demokracia ende është e papjekur në Kosovë, Banka Botërore ka thënë se në Kosovë ka mjedis jo të sigurt të investimeve, si dhe dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, konstaton se Kosova mbetet destinacion dhe vend transit i trafikimit me qenie njerëzore.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se raportet e tilla, qeveria nuk i refuzon, por i merr me seriozitet.
Ai rekomandimet i sheh si sfida. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka prioritete të njëjta me ato që përmenden në raporte.