Shkollat profesionale në Malishevë dhe Skenderaj, të financuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës vlerësohen të jenë më modernet në gjithë rajonin.
Gjithashtu planprogrami, pajisjet dhe dizajni i ndërtesave i përmbushin standardet më të larta evropiane.
“Shkollat janë një mundësi e re për të rinjtë”, ka thënë ambasadori norvegjez në Kosovë, Sverre Johan Kvale nëpërmjet një deklarate për media.
Sipas tij shkollat janë një shtesë e mirë në arsimin në Kosovë dhe profesionistët e rinj do të krijojnë një bazë të fortë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Shkolla në Skenderaj do të trajnojë punëtorë të aftësuar në industrinë e ndërtimtarisë.
Kurse ajo në Malishevë do të trajnojë profesionistë në fushën e ekonomisë, administratës dhe tregtisë.
Kostoja e përgjithshme është 14.7 milionë euro. 13.5 milionë euro janë siguruar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, ndërkaq 1.2 milion euro nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës.
Komunat përkatëse kanë siguruar tokën dhe infrastrukturën e nevojshme.