Disa azilkërkues të strehuar në Kolbrunn të Winterthurit kanë gjetur mënyrën më “të natyrshme” për të siguruar mish. Ata kanë vjedhur një dele të cilën e kanë prerë nën qiell të hapur dhe pastaj e kanë copëtuar për ta ndarë mes vete. E gjithë kjo ka ndodhur vetëm 200 metra larg kampit ku ata janë të strehuar.
Gjurmët e këtij delikti, respektivisht mbetjet e deles së prerë, i ka gjetur një kalimtar i cili ka njoftuar policinë, shkruan Winterthurer Landbote. Po ashtu një punëtor i shtëpisë për strehim të azilkërkuesve ka vënë re gjurmë të gjakut të cilat shpienin në frigoriferin e banorëve të shtëpisë. Mishi i vendosur aty kishte qenë i pa paketuar dhe nga ai rridhte ende gjak.
Përfaqësuesi i organizatës që udhëheq me kampet e strehimit të azilkërkuesve me këtë rast ka shprehur indinjatën e tij për atë që ai e ka quajtur krim të paparë. Në njëzet vitet sa kjo organizatë punon me azilkërkues nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë.
Ndërkohë, janë identifikuar disa nga azilkërkuesit si të dyshimtë për këtë veprim. Ndaj tyre do të merren masat përkatëse.