Nënçmimi që ua bëri panelit intervistues të Klan Kosova ishte nënçmim dhe mospërfillje e publikut të Kosovës, i cili besoj siç kam pritur edhe unë, do të kenë pritur edhe shumica e të tjerëve, përgjigje në disa prej pyetjeve që kanë të bëjnë me raportet e Republikës së Shqipërisë me Republikën e Serbisë, të cilat nën qeverisjen e Edi Ramës në Shqipëri po avancojnë dukshëm. E keqja nuk qëndron në avancimin e këtyre raporteve, por në mënyrën e avancimit të tyre duke shpërfillur mëvetësinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të tjerë në këto marrëdhënie. Edi Rama akuzoi për injorancë panelin intervistues të Klan Kosova, duke konstatuar se projekte e tilla janë multilaterale dhe të kontraktuara në Takimin e Berlinit të BE-së, por sigurisht se terminologjia e BE-së nuk është patjetër ajo e Vuçiçit, të cilën këtë herë u kujdes ta zbatojë me përpikëri Edi Rama. Por Edi Rama s’u përgjigj në pyetjen e Dastin Pallaskës, të cilit s’mund t’i bëheshin vërejtje as sa i përket nivelit gjuhësor e as të qartësisë së formulimit të pyetjeve, se ku mbeti qoftë edhe simbolikisht ekzistimi i mëvetësisë dhe i sovranitetit të Kosovës në këto marrëdhënie. Ç’është e vërteta këtu fajin e Ramës e zbut në një masë budallallëku i Enver Hoxhajt, Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili pa kurrfarë sensi kërkoi që Shqipëria të mos flasë në emër të Kosovës, se ja që na qenka ai dhe vetëm ai, i cili mund t’i përfaqësuaka interesat e Kosovës. Me një fjalë për Enver Hoxhajn, Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Republika e Shqipërisë është si Republika e Malit të Zi apo ajo e Maqedonisë!
Edi Rama shkoi aq larg sa me përçmim dhe arrogancë kërkoi “përkthim” për pyetje e Petrit Zogajt, të cilat, zaten, nuk ishin qartë të formuluara, por të kuptueshme për çdo shqipfolës me vullnet të mirë përveç Edi Ramës. Ç’është e vërteta as gjuha shqipe e Edi Ramës nuk është as sa duhet e rrjedhshme, as koncize, por shpesh e stërzgjatur dhe monotone. Edi Rama ka nevojë të përmirësojë dukshëm jo vetëm përmbajtjen dhe stilin e gjuhës së tij, por sidomos të kontrollojë arrogancën dhe prepotencën e fjalorit dhe të sjelljeve të tij.
Nisma e Edi Ramës, e filluar simbolikisht në Prizren, e takimit të dy qeverive – të asaj të Shqipërisë dhe të asaj të Kosovës, mbaroi përfundimisht në intervistën e tij dhënë në Klan Kosova. Për të interesat e Kosovës dhe të shqiptarëve të tjerë të regjionit ju nënshtrohen interesave të tij dhe të Vuçiçit dhe marrëveshjeve multilaterale të arritura nën koordinimin e BE-së. Është shumë e qartë rëndësia që ka për përparimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës bashkëpunimi me BE-në, por është e pakontestueshme edhe ndikimi, qoftë edhe simbolik, që ka veprimtaria dhe qëndrimi i Qeverisë së Republika e Shqipërisë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, pra edhe në Republikës e Kosovës.
Me arrogancën e shfaqur të Edi Ramës sikur m’u duk më e justifikueshme edhe arroganca dhe prepotenca e opozitës shqiptare në Parlamentin e Shqipërisë dhe jashtë saj. M’u duk se Rama arrogant dëgjon dhe kupton vetëm gjuhën e folur nga vetë ai – atë të arrogancës dhe të prepotencës, të cilën zaten duhet ta ndalë si ai, ashtu edhe oponentët e tij dhe imitatorët e tyre në Prishtinë.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.