Dy nisma parlamentare të iniciuar anga deputeti i PdA Josef Zisiadis respektivisht nga deputetja e të gjelbërve Katharina Prelicz-Hüber kanë pësuar humbje të thellë në Parlamentin Nacional të Zvicrës.
Vetëm 28, respektivisht 23 deputetë kanë votuar në favor të dy nismave, të cilat kërkonin përcaktimin e shumës së “të ardhurave të pakushtëzuara”, të cilat do t`i zëvendësonin të gjitha ndihmat tjera sociale.
Sipas iniciuesve kjo do të thjeshtësonte sistemin dhe do të plotësonte zbrazëtirat në sigurinë sociale, njofton tagesschau.ch.
Ndërkaq, kundërshtarët e argumentuan kundërshtimin e tyre me përgjigjen se dhënia e të ardhurave pa ndonjë bazë, d.m.th. pa kundërvlerën e shprehur me punë, është diçka jo e shëndetshme.
Sipas tyre të ardhurat e përmendura heqin ose dobësojnë motivin për punë. Veç kësaj, shuma e paraparë nga propozuesit si shumë maksimale, që ishte gjithsej 2500 franga, ishte tepër e ulët.