Enti Federal për Migracion ka botuar një broshurë të re drejtuar të huajve të rinj që vijnë për të jetuar në Zvicër. Në 20 faqet e broshurës që titullohet “Mirë se vini në Zvicër” janë përmbledhur në 12 gjuhë informacione themelore që kanë të bëjnë me jetën në Zvicër.
Të huajt e porsaardhur në Zvicër ardhjen këtu e përjetojnë si hyrje në një vend dhe shoqëri të panjohur. Për një integrim të suksesshëm nevojiten informacione të mira dhe të shpejta lidhur me jetën që i pret në rrethin e ri, përfshirë të drejtat dhe detyrimet që marrin, thuhet në komunikatën për medie të lëshuar nga Enti Federal për Migracion.
Këto të dhëna përfshihen në broshurën e re, parathënien e të cilës e ka shkruar ministrja e drejtësisë Simonetta Sommaruga. Në parathënie Sommaruga thotë se kjo broshurë është një instrument përshëndetjeje, i cili përmban në vete vlerat themelore që vlejnë në gjithë Zvicrën, të drejtat, detyrimet, porositë kryesore lidhur me integrimin si dhe informacione praktike mbi kushtet e jetës dhe të punës.
Kjo broshurë do t`u jepet të porsaardhurve përmes institucioneve të kantoneve, të qyteteve dhe të komunave për plotësimin e informacioneve që tashmë i kanë.
Përveç në gjuhët e vendit, pra në gjermanishte, frëngjishte dhe italishte, broshura është e botuar edhe në gjuhën shqipe, angleze, arabe, portugeze, ruse, serbe, spanjolle, turke dhe tamile.