Programi për Ndërmarrjet Private në Kosovë (KPEP), pas një analize të ekonomisë së Kosovës, me qëllim të përmirësimit të aftësisë konkurruese bëri përzgjedhjen e sektorëve me potencialin më të madh të rritjes, raporton DW.
Programi 17 milionë dollarësh për katër vjet u orientua tek bujqësia, ndërtimi, turizmi, riciklimi, ekonomia pyjore dhe përpunimit të drurit, teknologjitë e informatikës dhe komunikimit, lehtësim të kushteve për biznesin, zhvillimin e fuqisë punëtore si dhe në shërbimet për mbështetjen e bizneseve.
Rajonet përfituese janë varësisht nga specifikat e industrisë, thotë Virtyt Gacaferi, zyrtar për informim në projektin KPEP.
“Investimet më të mëdha në fushën e turizmit janë bërë në Rrafshin e Dukagjinit, përkatësisht në Pejë dhe në Rahovec. Në sektorin e mbjelljes së patates, rajoni më i përkrahur ka qenë Vushtrria.
Në pylltari, rajoni i Kaçanikut, komunat e Rrafshit te Dukagjinit dhe një pjesë e veriut të Kosovës. Pra, projekti është shtrirë në sektorë të ndryshëm, varësisht nga shtrirja gjeografike, ndërsa eksport ka në të gjithë sektorët e përzgjedhur”, thotë z.Gacaferi.
Rezultatet më të dukshme janë në sektorin e bujqësisë, ku është bërë identifikimi i problemeve të fermerëve, që nga identifikimi i varieteteve të reja, gjetja e tregjeve si dhe eliminimi i vështirësive në paketim dhe në marketing.
Musli Berisha, specialist i agrikulturës brenda programit, thotë se Ideja e projektit është që fermeri në Kosovë të orientohet në atë çka kërkon blerësi i fundit e jo çka ai di dhe mund të bëjë.
Dhe, me këtë kemi rezultatet e para, sepse janë identifikuar varietet e specit, të cilat në vend të 25 tonëve për një hektar të varieteteve tradicionale, ato japin mbi 80 ton për hektar.
Në Kosovë, për herë të parë është sjellë lloji i specit hungarez (CECEJ), janë organizuar fushata testuese dhe pasi kultivimi i tij ka rezultuar me sukses, është gjetur tregu”.
Prezantimi i cilësisë së frutave dhe perimeve nëpër panaire të ndryshme ka tërhequr vëmendjen e konsumatorit për produktet nga Kosova.
Në këtë rast, blerës i prodhimeve të Kosovës paraqitet diaspora dhe vetëm brenda vitit 2010, kompania Kelmendi ka eksportuar nga Kosova mbi 2000 ton speca, apo dy milionë kilogramë, të cilat i ka destinuar në tregun prej Suedisë e deri në Spanjë”.(DW)