Një autobus i vogël elektrik është parë të mërkurën teksa qarkullonte pa shofer në Austri. Paraqitja e parë testuese e këtij autobusi është bërë në qytetin e vjetër të Salzburgut, shkruajnë mediat austriake. Kalimtarët e rastit kur kanë parë autobusin duke qarkulluar pa shofer, të habitur kanë tundur kokën, ndërkohë që një pjesë e tyre kanë pasur rastin edhe ta shijojnë këtë udhëtim, përcjell “albinfo.ch”.
Kjo konsiderohet si një prej revolucioneve më të mëdha të teknologjisë moderne.
Autobusi i cili ka marrë emrin “Navya Arma” është 4,8 metra i gjatë dhe 2.5 metra i gjerë.
Ky autobus lëviz me një shpejtësi deri në 45km në orë, ka 15 vende për udhëtarë, 11 për ulje dhe katër në këmbë. Ai është i programuar në mënyrë elektrike dhe me sensorë sa që rrezikshmëria në të, mund të jetë minimale, njofton “albinfo.ch“.
Bateritë të cilat ai i mban janë vendosur edhe para edhe prapa autobusit. Ato mbushen për gjashtë orë, ndërkohë koha e shpenzimit të tyre mund të zgjatë prej 10 – 13 orë udhëtim.
Autobusët do të jenë pjesë e një eksperimenti, për të kuptuar nëse përmbushin parametrat e sigurisë dhe nëse në të ardhmen mund të hidhen të tjera mjete.
