Federata e Futbollit e Kosovës është lajmëruar se Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka hapur një hetim zyrtar për shkak të sjelljes së tifozëve në ndeshjen Kosovë-Kroaci që u zhvillua në Shkodër më 6 tetor në Shkodër, shkruan albinfo.ch.
Në ndeshjen e 6 tetorit, tifozët kosovarë dhe ata kroatë u miqësuan aq shumë sa gjatë ditës dhe në stadium nuk kursyen thirrjet anti-Serbi në kor. Kjo është e ndalueshme dhe pritet të dënohet nga FIFA.
Si pasojë, FFK-ja është nën hetim nga FIFA, ashtu si edhe homologët kroatë për këto thirrje dhe rrezikon seriozisht një gjobë të majmë apo edhe të luajë pa tifozë ndeshjen e radhës në fushën e vet.
Nga ana tjetër Kroacia tashmë është mësuar të luajë pa tifozë, të cilët i krijojnë vazhdimisht probleme dhe u është nënshtruar disa sanksioneve nga FIFA për “thirrjet diskriminuese” që ata kanë lëshuar në stadium në ndeshjet miqësore kundër Izraelit e Hungarisë.
Kroatët luajtën pa tifozë ndeshjen ndaj Turqisë në shtator ndërsa do të jenë përsëri në stadium të boshatisur për takimin e nëntorit ndaj Islandës.