Fëmijët nga secili land (republikë) i Gjermanisë zgjidhen për të ndihmuar moshatarët e tyre nga një shtet ose disa shtete të një regjioni. Kështu është përcaktuar shoqata humanitare gjermane Adra, shkruan augsburgerallgemeine.de.
Këtë vit fëmijët nga landi i Bavarisë janë zgjedhur që ndihmat e tyre t`ua dërgojnë moshatarëve të varfër në Kosovë dhe në Serbi, transmeton albinfo.ch. Ndihmat planifikohet të shkojnë në vendin e destinimit para festës së Krishtlindjes, në mënyrë që edhe fëmijët e varfër të vendeve përkatëse t`i gëzohen festës.
Punëtorët e shoqatës e inspektojnë gjendjen sociale në shtetet që konsiderohet se kanë nevojë për ndihma pastaj i përshkruajnë në një raport mbresat dhe përvojat e tyre nga ato vende. Po ashtu ata shkruajnë edhe lidhur me reagimet e fëmijëve në rastet kur atyre u janë dhuruar paketat e ndihmave.
Në këto paketa fëmijët do të vendosin lodra fëmijësh mbi moshën 3 vjeçare, si topa, kafshë prej plishi, lodra të memories, artikuj shkollorë, ëmbëlsira (afati i skadimit më i afërm marsi i vitit 2017), artikuj higjenikë, shalle, kapela etj.
Që dhuratat të mund edhe të transportohen, Adra lut dhuruesit të japin edhe nga pesë euro.
Afati i fundit për dorëzimin e paketave është e diele, 20 nëntor në Bücherturm, Augsburg.