Në Zvicër në të ardhmen do të dënohet shprehimisht sakatimi (synetimi) i gjenitaleve të femrave që praktikohet në disa vende islame të Afrikës. Pas Dhomës federale, edhe Dhoma e kantoneve ka kërkuar ndërrimin e ligjit penal sa i përket kësaj pike.
Me përcaktimin e ri ligjor, personat të cilët bëjnë sakatimin e organeve gjenitale të femrave, mund të dënohen me heqje lirie deri në dhjetë vjet. Ky dënim do tu shqiptohet edhe në rast se veprimi në fjalë është bërë me pajtimin e viktimës.
Sakatimi i gjenitaleve do të dënohet edhe në rast se një person i cili jeton në Zvicër, ka bërë një veprim të tillë në një vend jashtë Zvicrës, ku ai nuk dënohet penalisht.
Vjetërsimi i lëndës në rastet e sakatimit bëhet pas 15 vitesh.