Grupi Teatror AKTRIMI në Cyrih ka filluar përgatitjet për projektin e ri teatror. Bëhet fjalë për dramën e njohur “Emigrantët“ të autorit polak, Slawomir Mrozek. Një dramë e shkruar para 40 vitesh por që sot është më aktuale se sa kurrë.
Edhe pse në dramë aludohet se personazhet kanë ikur nga vendi i tyre për shkak të situatës së rëndë në atdheun e tyre të ngulfatur nga komunizmi, drama e tyre është më e thellë, që prekë problemin e të gjithë atyre që kanë ikur nga atdheu për arsye të ndryshme. Regjinë e shfaqjes është duke e bërë Ben Apolloni kurse me role në këtë duodramë janë angazhuar aktorët Avdi Amidi dhe Ramadan Morina, thotë për albinfo.ch Ben Apolloni, regjisor i shfaqjes.
Shfaqjes është duke iu bërë një trajtim regjisorial modern, i përqëndruar kryesisht në intepretimin aktoresk. Grupi Teatror “AKTRIMI“ me këtë projekt fillon një fazë të re të punës dhe paralajmëron projekte serioze në fushën e teatrit, televizionit e filmit.
Së shpejti do të fillojë edhe me mbajtjen e kurseve të aktrimit për të gjithë të interesuarit që më pas do të jenë edhe aktorë potencial në projektet e Grupit Teatror AKTRIMI.