Edhe më shumë se një dekade pas përfundimit të luftës në Kosovë ka ende armë ilegale në duart e qytetarëve.
Sipas një hulumtimi të UNDP-së në vitin 2010 nga 400 mijë armë, në duart e qytetarëve janë 330 mijë armë pa leje.
Policia e Kosovës thotë se ka plane të veçanta për konfiskimin e armëve ilegale dhe parandalimin e të shtënave me armë zjarri. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se këto plane realizohen në kuadër të angazhimit të policisë për ruajtjen e jetës së qytetarëve.
Vetëm këtë vit, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, janë evidentuar 11 vrasje, kryesisht me armë pa leje, ka raportuar RTK.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka intervenuar në 522 raste ku ka konfiskuar 562 armë të kalibrave të ndryshëm pa leje.
Me marrjen e përgjegjësive për menaxhimin e integruar të kufirit është bërë edhe parandalimi i kontrabandimit të armëve.
Por, Policia e Kosovës nuk e precizon numrin e armëve pa leje që posedon popullata duke thënë se në aksione të ndryshme ka njerëz që kanë dorëzuar armët në mënyrë vullnetare.