Shkëlzen Gashi duket se po e shijon jetën brenda dhe jashtë fushës së blertë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan albinfo.ch.
Ndërkohë që po shkëlqen me gola e asistime, sulmuesi i Kombëtares shqiptare vazhdimisht angazhohet në programe të ndryshme që kanë lidhje me sportin në shtetin e Colorados.
Një i tillë u organizua së fundi, ku 28-vjeçari mori pjesë në aktivitetin “Football vs. Futbol”, ku 100 fëmijë vendas patën rastin të takonin futbollistë dhe lojtarë të futbollit tradicional amerikan.
Gashi, Mikael Azira dhe Bubi Berling u mësuan të vegjëlve si ta çonin topin në rrjetë, ndërsa nga ekipi i Denver Bronkos, Brendon McManus, Rilli Dixon dhe Kasey Criter i stërvitën fëmijët me lojën me topin vezak.
“Ishte fantastike. Fëmijët kishin një buzëqeshje të madhe në fytyrë, ata janë e ardhmja e këtij qyteti dhe këtij vendi. Ishte bukur”, u shpreh Gashi në përfundim të aktivitetit të zhvilluar në stadiumin e Rapids.