Për herë të parë është shqiptuar në Zvicër një dënim i përjetshëm i kujdestarisë (mbikëqyrjes). Kjo masë ndëshkuese i është shqiptuar një burri 43 vjeçar për vrasjen e një prostituteje, të kryer para tre vitesh. Ai pati marrë një dënim prej 20 vitesh burg dhe kujdestari të përjetshme nga Gjykata e Qarkut në Weinfelden (Thurgau).
Pastaj mbrojtësi i tij kishte bërë një ankesë, por në momentin e fundit ai ishte tërhequr, shkruan news.search.ch. Me këtë, dënimi i shqiptuar më parë është bërë automatikisht i plotfuqishëm.
Avokati nuk i ka dhënë arsyet e tërheqjes.
Në vitin 2004 përmes votimit popullor Zvicra kishte miratuar iniciativën e dënimit me kujdestari. Ajo iniciativë kërkonte kujdestari të përjetshme për kryesit e pandreqshëm të veprave penale seksuale dhe të dhunshme. Ky është rasti i parë që një njeri të dënohet në mënyrë të plotfuqishme me këtë masë ndëshkuese.