Ndërmarrjet zvicerane, edhe gjatë muajit gusht kanë eksportuar më shumë mallra në krahasim me gushtin e një viti më parë. Kështu, vlera nominale e eksporteve të Zvicrës ishte për 7 për qind më e madhe në këtë gusht krahasuar me gushtin 2015. Ndërsa rritja e sasisë neto të eksporteve zvicerane ka qenë 1.2 për qind, bën të ditur Administrata Federale e Doganave.
Përcaktuese për këtë rritje ka qenë shtimi i eksportit të produkteve kimike dhe farmaceutike. Kështu në muajin gusht Zvicra ka eksportuar 13 për qind më shumë produkte të tilla se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Madje, nga shkaku i rritjes së çmimeve të produkteve në fjalë, ka pasur një rritje të fitimit për një të katërtën.
Nga ana tjetër, rënie e kërkesës në botë është regjistruar për orët, makinat dhe elektronikën zvicerane.
Edhe importet kanë shënuar rritje. Nominalisht kjo rritje ka qenë për 8.4% ndërsa realisht për 5.1%, veç tjerash për shkakun se gjatë kësaj periudhe ka pasur më shumë automjete të huaja që janë blerë nga zviceranët.