Siç bën me dije në një njoftim për medie Klubi Thai Kick-Box “Team Bajrami” në Zvicër që udhëhiqet nga vëllezërit Xhavit, Tefik dhe Ferid Bajrami, ky klub ka marrë licencën për organizimin e evenimentit më prestigjioz të kikboksit botëror, atë të K-1.
Pas rreth 2 muajsh bisedime vëllezërit Bajrami të mërkurën kanë marrë konfirmimin nga organizatorët e K-1 në Japoni se fitojnë të drejtën e organizimit të eventit në Zvicër për turneun e madh “K-1 World Max”.
Më datën 2 Korrik do të zhvillohet turneu “K-1 World Max – 70kg Swiss Tournament”. Në këtë turne do të marrin pjesë 8 kikboksierët më të mirë të Zvicrës. Fituesi i këtij turneu kualifikohet direkt në turneun e “K-1 World Max Europe” që do të zhvillohet në pranverë.
Promotor i aktivitetit është Tefik Bajrami. Ndërsa kampioni aktual i botës në kikboks, Xhavit “Gentleman” Bajrami (në versionet ISKA & WKN) do të marrë pjesë në super meçin e mbrëmjes. Gjentellmeni është direkt i kualifikuar në mesin e 16 më të mirëve të turneut që zhvillohet në Japoni.