Gjashtë fshatra të komunës së Vitisë do të bëhen me ujësjellës falë mbështetjes së Qeverisë së Zvicrës dhe me participim të komunës dhe banorëve.
Sllatina e Epërme, Sllatina e Poshtme, Sadovina e Jerlive, Sadovina e Çerkezëve, Tërsteniku dhe Vërbani janë fshatra që kanë përfituar nga ky projekt i përbashkët, që kap vlerën 527 mijë euro, ndërsa qeveria zvicerane në këtë shumë participon me 342 mijë euro.
Astrit Vokshi, drejtor i CDI-së, organizatë kjo që jetëson projektet e qeverisë zvicerane dhe austriake për infrastrukturë, ka thënë se në fazën e katërt të këtyre projekteve komuna e Vitisë është përzgjedhur në mesin e gjashtë komunave të Kosovës.
“Qeveria zvicerane për fazën e katërt të projekteve ka ndarë 930 mijë euro për investime në të gjitha projektet, ndërkohë që për komunën e Vitisë janë paraparë 342 mijë euro apo 65 për qind e shumës së tërësishme të projektit për ujësjellës në të gjashtë fshatrat e kësaj komune”, ka thënë Vokshi.
Kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi ka thënë se Komuna është e gatshme të mbështesë këtë iniciativë dhe të kryejë çdo angazhim që i takon autoriteteve komunale, duke theksuar se më këtë rast do të formojë një grup punues dhe të caktojë përfaqësuesit përgjegjës për mbikëqyrjen e projektit.
Përfaqësuesi i Zyrës për zhvillim të qeverisë zvicerane në Kosovë, Guido Beltroni ka thënë se prej vitit 2000, Zvicra ka financuar rreth 50 projekte të ujësjellësve nëpër lokalitete të ndryshme në Kosovë.