Besart Berisha i ka thënë ‘Po’ Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Pas Milot Rashicës, Herolind Shalës, Alban Mehës, Sinan Bytyqit, Amir Rrahmani edhe sulmuesi Besart Berisha ka pranuar që të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan albinfo.ch.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij, derisa mësohet se ka paraqitur kërkesën në FIFA, në mënyrë që të luajë për Kosovën.
“Shumica prej jush keni qenë futbollistë profesioniste dhe sigurisht se e dini sa e rëndësishme është për një futbolliste që të luaje dhe ta përfaqësoje vendin e vet”, mësohet të ketë shkruar Berisha.
Sulmuesi prishtinas më parë ka luajtur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, por kohëve të fundit i ka zbehur shumë marrëdhëniet me FSHF-në dhe trajnerin Gianni De Biasi.
Ndryshe, Berisha luan në kampionatin australian te skuadra e Melbourne Victory, ku në 54 ndeshja ka shënuar 34 gola, teksa e ka fituar titullin e ligës me dy skuadra të ndryshme dhe titullin e golashënuesit më të mirë.