Një shoferi zviceran i ka shkuar përdore të bëjë diçka që për një shtet si Zvicra, ku rregullat funksionojnë me përpikëri, duket pak e pabesueshme: për 19 vite me radhë ka vozitur makinën e tij pa pasur patentë shoferi.
Policia kantonale e St. Gallenit po bënte një kontroll të rregullt në komunikacion. Një ngasës, i lutur për ta treguar patentë shoferin, filloi të gjente pretekste të ndryshme për të shpëtuar nga halli.
Por, kur policët vazhduan kërkesën me këmbëngulje, ai u detyrua të pranonte se nuk kishte fare patentë, përcjellin mediet zvicerane lajmin e sda-së.
E gjitha çka mundi t`i tregonte policisë ngasësi 47 vjeçar ishte një dokument i “autoshkollës” që i kishte dalë afati në vitin 1992, plot 19 vite më parë.