Granit Xhaka, Shani Tarashaj dhe Valon Behrami janë ftuar te përfaqësuesja e Zvicrës për ndeshjet eliminatore “Rusia 2018”, duke i dhënë fund pritjeve se treshja së bashku me Xherdan Shaqirin të pranonin të luanin për Kosovën, shkruan albinfo.ch.
Xherdan Shaqiri nuk është ftuar shkaku i lëndimit, ndërsa në ekip është edhe Admir Mehmedi e Blerim Xhemaili.
Lajmi ka bërë bujë në rrjetet sociale, pasi adhuruesit e futbollit në Kosovë ishin duke pritur që ata të vendosin të luajnë për Kosovën. Nuk kanë munguar as ofendimet e ndryshme në drejtim të lojtarëve.
Më herët futbollistët si Shaqiri e Xhaka kishin deklaruar se pasi të pranohet Kosovë, atëherë do ta shikonin mundësinë për të luajtur, por kjo nuk ka ndodhur. Gjithashtu Federata e Futbollit e Kosovës kishte konfirmuar më parë se janë duke pritur përgjigjen e tyre dhe kanë qenë të ftuar.
Më parë Behrami, Shaqiri e Xhaka nuk kishin pranuar të luajnë për Kombëtaren shqiptare, me arsyetimin se kuqezinjtë nuk janë interesuar për shërbimet e tyre.
Refuzimi për të luajtur për Kosovën nuk është pritur mirë nga futbolldashit në Kosovë, që sigurisht se nuk do t’i përkrahin si më parë.