Kriza e refugjatëve e cila po vazhdon akoma, por që kulmin e saj e ka pasur në vitin 2015 ka ballafaquar vendet e Evropës Perëndimore me një fluks të madh të azilkërkuesve. Por, jo të gjitha vendet janë të ngarkuara njësoj nga kjo krizë.
Kështu, ndonëse Gjermania përmendet zakonisht si vendi me më së shumti azilkërkues, ajo nuk është më e ngarkuara. Në fakt me 5.9 azilkërkues në 1000 banorë, Gjermania është në vendin e tretë ashtu sikurse Finlanda, e cila ka po këtë përpjesëtim azilkërkues-banor, transmeton albinfo.ch mediat gjermane. Dukshëm më tepër azilkërkues për kokë banori ndërkaq ka Austria, me 10.3 azilkërkues në 1000 banorë. Ndërsa me distancë të madhe ndaj Austrisë dallohet Suedia, në të cilën kundrejt 1000 banorëve vendës janë 16.7 azilkërkues.
Megjithatë, Gjermania vazhdon të prijë për nga shifrat absolute të njerëzve që kanë kërkuar azil. Ndërsa përqindja relativisht e ulët e tyre në relacion me banorët vendës është për shkak të numrit të madh të banorëve që ka Gjermania, mbi 80 milionë sish.
Pas katër shteteve të përmendura vijnë në radhë Luksemburgu, Malta dhe Belgjika.